Përgjigjja jonë ndaj COVID-19

Për komunitetin botëror të Samsung,

Teksa COVID-19 vijon të përhapet anembanë botës, mendjet tona janë pranë secilit prej jush. E dimë se kjo situatë e ka prekur gjithsecilin ndryshe dhe se COVID-19 do të ketë një ndikim të gjatë mbi shoqërinë tonë. Pavarësisht kësaj kohe të vështirë, ne shohim dhe shpresë në këmbënguljen tonë. Jemi duke treguar se si, si një komunitet botëror, mund të bëhemi të gjithë bashkë – pavarësisht vendndodhjes apo rrethanave – për t'i dhënë zgjidhje njërës prej sfidave më të rëndësishme të jetës sonë.

Në orientimin mes këtyre kohëve të pasigurta, Samsung luan një rol të rëndësishëm në përkujdesjen ndaj punonjësve, mbështetjes ndaj klientëve dhe ndihmesën ndaj komuniteteve tona. Ne kemi kushtuar burime për të ndihmuar njerëzit në nevojë dhe për të ndihmuar që si shoqëri të dalim më të fortë në anën tjetër.

Mbështetja e fuqisë sonë botërore punonjëse

Ne kemi ngritur ekipe rajonale reagimi anembanë botës për t'u ofruar punonjësve burime e përditësime në lidhje me direktivat më të fundit nga autoritetet shëndetësore. Kemi kufizuar udhëtimet e punës vetëm në udhëtime që janë të rëndësisë madhore dhe i kemi këshilluar punonjësit të punojnë nga shtëpia për rastet kur është e mundur. Për më tej, kemi mbyllur disa prej objekteve dhe dyqaneve tona, për të mbështetur përpjekjet e distancimit fizik, kur është nevoja.

Në zyrat dhe objektet që janë kritike për ofrimin e produkteve dhe të shërbimeve të nevojshme për përdoruesit, kemi imponuar përdorimin e depistimeve dhe të kontrollit të temperaturës përpara hyrjes, si dhe kemi vënë në zbatim një pastrim të rregullt të imët. Anembanë botës jemi duke marrë parasysh mënyra për të ndihmuar punonjësit tanë dhe familjet e tyre që janë ndikuar nga kjo pandemi.

Ne do të vijojmë të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbrojtur njerëzit tanë, të cilët janë dhe fuqia e biznesit tonë.

Shërbimi ndaj klientëve e partnerëve tanë të çmuar

Marrëdhëniet që kemi ngritur me klientët e partnerët tanë gjatë 50 viteve të fundit janë të rëndësisë më të lartë për ne.

Teksa jeta jonë e përditshme kalon drejt punës dhe mësimit nga shtëpia, ne jemi këtu për t'ju mbështetur ju dhe familjen tuaj me produkte e shërbime që ju bëjnë të mundur të vijoni me jetën dhe të ruani lidhjet me të dashurit tuaj. Ne jemi këtu për t'ju mbështetur nga interneti në Samsung.com me shërbim klienti në çdo orë të ditës. Për klientët të cilëve u skadon garancia e prodhuesit gjatë kohës që shërbimet tona nuk ofrohen për shkak të kufizimeve të shkaktuara nga COVID-19, ne ofrojmë një muaj shtyrje nga data kur shërbimet e riparimit do të rinisin nga puna.

U kthejmë vlerë komuniteteve tona

Që nga muaji janar, Samsung u ka dhuruar fonde e mallra të vlerës 29 milionë USD qeverive e komuniteteve që janë prekur më shumë nga COVID-19 për të ndihmuar në përpjekjet e tyre të ndihmës, duke përfshirë dhe blerjen e artikujve mjekësorë dhe aksesorëve të higjienës, si p.sh. maska mbrojtëse. Ne jemi duke u dhuruar smartfonë pacientëve të vendosur në karantinë, për t'i ndihmuar të ruajnë lidhjet me familjet e shoqërinë, si dhe ajërpastruese e pajisje të tjera në spitale dhe qendrat e karantinës. Ne jemi duke u dhuruar gjithashtu tableta institucioneve arsimore, në mënyrë që fëmijët të mund të vijojnë të mësojnë jashtë klasës, si dhe jemi duke i ofruar modulet tona arsimore CSR në internet, që fëmijët të kenë akses në më shumë përmbajtje të pasura nga shtëpia.

Në Kore, mes shteteve të para të goditura, ne u kemi ofruar autoriteteve një nga objektet e kompanisë për ta shfrytëzuar si qendër kujdesi mjekësor për pacientët, duke ndihmuar kështu në përpjekjet e kufizimit të bëra nga shteti. Gjithashtu ekipet tona teknike janë duke punuar me kompani në Kore për të krijuar maska fytyre për t'i ndihmuar të rrisin prodhimtarinë duke u përmirësuar strukturën e fabrikave dhe proceset prodhuese, dhe, në disa raste, duke krijuar kallëpe për prodhimin e maskave. Për shkak të përpjekjeve tona, një prej kompanive arriti të prodhonte më shumë se dyfishin e kapacitetit të saj ditor.

Ne do të vijojmë të përdorim teknologjinë dhe burimet tona për t'iu përgjigjur nevojave të atyre që punojnë në luftën ndaj kërcënimit dhe pasojave të COVID-19. Kjo mbështetet e gjitha mbi një parim të pakontestueshëm që na ka udhëhequr gjatë historisë sonë: të krijojmë teknologji që kontribuon drejt një shoqërie më të mirë botërore.

Tani më shumë se kurrë duhet të shtrëngojmë radhët jo vetëm për ta tejkaluar këtë sfidë, por dhe për të dalë më të fortë, së bashku. Kjo është një kohë e vështirë për të gjithë ne dhe do të vijojmë të ndajmë përditësime me ju sipas zhvillimit të situatës. Për momentin, i falënderojmë me sinqeritet të gjithë punonjësit tanë për gjithçka që po bëjnë dhe, sidomos, për mbështetjen që po i japin njëri-tjetrit, partnerëve tanë dhe klientëve tanë.

Klientëve, partnerëve dhe komuniteteve tona ju jemi mirënjohës për mbështetjen tuaj besnike dhe ju premtojmë se do të qëndrojmë fort me ju teksa na pret një e ardhme premtuese.

Nga të gjithë ne në Samsung, ju urojmë juve, familjeve dhe shoqërisë suaj të qëndroni të fortë e të shëndetshëm.